REZULTATET E TESTIT PISA JANË NJË ALARM I KUQ PËR ARSIMIN

Nxënësit nga Mali i Zi në testin e fundit PISA arritën rezultate më të këqija se në atë të mëparshëm, prandaj Mali i Zi është sërish në pjesën e fundit të tabelës, u bë e ditur në prezantimin e sotëm të organizuar nga Qendra e Provimeve dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Dragan Bojoviq, tha se departamenti nuk është i kënaqur me rezultatet e testit PISA dhe se ato janë alarm i kuq për arsimin në Mal të Zi.

Siç tha ai, është e qartë se duhet të ndërmerren reforma që do të shkojnë në drejtim të përmirësimit të sistemit arsimor.

“Natyrisht, reformat janë zbatuar në vitet dhe dekadat e kaluara, por është e qartë se ato nuk janë zbatuar në mënyrë adekuate dhe se nuk po japin rezultat. Kurrikula dhe programi ndoshta janë ndryshuar në mënyrë joadekuate, janë hequr disa përmbajtje cilësore”, tha Bojoviq.

Ai tha se raporti i lëndëve obligative dhe atyre zgjedhore duhet të rishikohet, pasi siç tha ai njohuritë themelore dhe shkenca janë të pamjaftueshme.

Drejtori i Qendrës së Provimeve, Millosh Triviq, tha se në testin PISA kanë marrë pjesë rreth 690.000 pesëmbëdhjetëvjeçarë nga 81 vende.

“Testimi në Mal të Zi është bërë nga prilli deri në maj të vitit të kaluar. Morën pjesë 5.793 nxënës nga 63 shkolla, pra rreth 93 për qind e popullsisë 15-vjeçare ishin të përfshirë”, tha Triviq, duke shpjeguar se nxënësit iu nënshtruan tri testeve – në matematikë, lexim dhe shkencë.

“Kur flasim se ku është Mali i Zi në raport me vendet e tjera – kudo jemi në vendin e tretë për nga rezultatet. Në të tre fushat, rezultatet më të mira i ka arritur Singapori, ndërsa më të këqijat Kamboxhia”, tha Triviq.

SHARE