ABAZOVIQ: PRES OPINIONIN E KOMISIONIT TË VENECIAS PËR LIGJIN PËR PRESIDENTIN PARA DATËS 12 DHJETOR

Kryeministri në mandatin teknik Dritan Abazoviq tha se është për ndryshime ligjore, sipas të cilave qytetarët do të mund të votojnë në komunën ku janë regjistruar në listën zgjedhore në kohën e zgjedhjeve. Ai tha se prokuroria duhet të reagojë më mirë për ngjarjet në Shavnik. Ai theksoi se ndryshime të tilla ligjore mund t’i japin fund “turizmit elektoral”. Ai tha se një pyetje e veçantë është se cilat janë kompetencat e Qeverisë në mandatin teknik dhe përgjigja është se Qeveria kryen të gjitha funksionet e parapara me Kushtetutë. Abazoviq thotë se nuk ka dallim në krahasim me mandatin e rregullt, sepse Qeveria udhëheq politikën e brendshme dhe të jashtme. Kreu i Qeverisë ka theksuar se Gjykata Administrative ka vendosur që kryetari i Podgoricës, Ivan Vukoviq, është zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme. Qeveria, thotë ai, duhet të pozicionohet në lidhje me situatën në Podgoricë dhe Shavnik. Kryeministri thotë se mosbindja ndaj vendimeve të gjykatës është baza që Qeveria të vendosë administrim të detyruar, por nuk dëshiron që Qeveria t’i marrë kompetencat e dikujt tjetër, sigurisht në nivel lokal. Ai shprehet se Komisioni i Venecias mund të jap komentin për Ligjin për Presidentin, por fjalën përfundimtare do ta japë Gjykata Kushtetuese. “Komisioni i Venecias mundet, Shoqata e Avokatëve mundet, por Gjykata Kushtetuese e ka fjalën e fundit. Kështu është në vendet sovrane. Unë mbështes dhe pres opinionin e Komisionit të Venecias përpara datës 12 dhjetor, që do të ndihmojë deputetët tanë,” ka thënë Abazoviq. Ai tha se është takuar me përfaqësues të partive të tjera, por ende nuk ka ftesë zyrtare për takim për zgjidhjen e krizës. Ai deklaron se do t’i përgjigjet asaj ftese, nëse do të ketë. Ai thekson se ekziston mundësia që Ligji për Presidentin të mos jetë pika e parë e rendit të ditës në Parlament më 12 dhjetor, sepse ekziston mundësia reale për konsultime shtesë.

SHARE