Kombet e Bashkuara kritikuan mungesën e llogaridhënies lidhur me shembjen e strehës së betonit në stacionin hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, një vit pas tragjedisë që nxiti protesta masive.
Shefi për të drejtat e njeriut në OKB, Volker Turk, kërkoi që të bëhen përpjekje të reja për të hetuar për përgjegjësinë në këtë ngjarje, duke argumentuar se kjo është thelbësore për të rikthyer besimin e publikut në institucione dhe për të respektuar sundimin e ligjit.
“Nuk ka pasur një proces domethënës për të zbuluar të vërtetën dhe për të kërkuar drejtësi për tragjedinë që rezultoi me vdekjen e 16 personave në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Kjo, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga dhjetëra mijëra persona që kanë dalë në rrugë duke kërkuar drejtësi”, tha Turk përmes një deklarate.
“Për më tepër, shumë pretendime për sulme të dhunshme dhe arrestime arbitrare të protestuesve paqësorë dhe gazetarëve gjatë demonstratave nuk janë hetuar dhe mbesin të pandëshkuara. Përkundrazi, incidente të tilla vazhdojnë të ndodhin”, shtoi ai.
Të shtunën, më shumë se 100.000 serbë shënuar përvjetorin e parë të incidentit në Novi Sad, që tronditi këtë shtet në Ballkanin Perëndimor.
Disa javë pas renovimit të ndërtesës, streha prej betoni në stacionin hekurudhor u shemb më 1 nëntor 2024, një aksident që kritikët e cilësuan si simbol të korrupsionit në Serbi, që më pas çoi në rrezmin e qeverisë.
Në protestat e së shtunës, protestuesit kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të reja.









