Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Nikollë Camaj mori pjesë në konferencën e përbashkët të Komitetit për Kulturë, Shkencë, Arsim dhe Media të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit të Greqisë për promovimin e sigurisë, integritetit, barazisë dhe inkluzivitetit në sport të mbajtur në Athinë.
Në konferencë u konkludua se është e nevojshme që qeveritë dhe parlamentet kombëtare të bëjnë më shumë për promovimin e sportit, për gjithëpërfshirjen në sport, për luftën kundër fenomeneve negative si dopingu dhe bastet; të aprovojnë ligje që do të ndihmojnë në zbatimin e barazisë në sport, dhe që do të mundësonin masivizimin e sportit, para së gjithash për shkak të një jetese të shëndetshme, ku fëmijët do të përfshiheshin që në moshën e kopshtit.
Nënkryetari Camaj në fjalën e tij theksoi rëndësinë e sportistëve që, siç tha ai, promovojnë kohezionin social. Ai deklaroi se sporti jo vetëm që përmirëson shëndetin fizik, por gjithashtu nxit forcën e rezistencës mendore dhe mëson aftësi të vlefshme jetësore.
Ai tha gjithashtu se sporti fuqizon grupet e margjinalizuara:
“Megjithatë, ne duhet të përballemi me të vërtetën e pakëndshme se pabarazia dhe përjashtimi ekzistojnë ende në botën e sportit.”
„Dallimet në mundësi në bazë të gjinisë, invaliditetit, statusit socio-ekonomik dhe përkatësisë etnike mbeten sfida që nuk mund t’i anashkalojmë”, theksoi nënkryetari Camaj dhe shtoi se është e nevojshme të bashkohen forcat në zhvillimin e programeve që ofrojnë mbështetje financiare, bursa dhe resurse në mënyrë që të sigurohet mbështetja për talentet, pavarësisht origjinës.
Komiteti Paralimpik i Malit të Zi është shembulli më i mirë i mbështetjes kombëtare. Deri më tani kemi pasur përfaqësues në Lojërat Paralimpike në Pekin, Londër, Rio, Tokio, Paris, me të cilët jemi shumë krenarë, rikujtoi Camaj me mesazhin se të gjithë pjesëmarrësit e konferencës në Athinë duhet të jenë krijues të ndryshimeve në vendet e tyre.
“Le të punojmë pa u lodhur që sporti të mbetet një forcë bashkuese, një platformë fuqizimi dhe një festë e humanizmit tonë të përbashkët”, tha nënkryetari Camaj.