I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë më 5 nëntor se takimi i një nate më parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë.
Sipas tij, palët janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.
“Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.
Ai i ka bërë këto deklarata pak orë pasi pjesëtarët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – do të vendosin nëse do të largohen nga institucionet e Kosovës.
Ky paralajmërim ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Asnjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të komentuar thirrjet e Listës Serbe për rezistencë dhe për të mbështetur policët që të mos zbatojnë planin për riregjistrim.
Lista Serbe ka një post ministror në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në Kuvendin e Kosovës kjo parti, që ka mbështetje të madhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka të dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.