PRESIDENTI I KOSOVËS, HASHIM THAÇI, JEP DORËHEQJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga posti pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës. “Para pak çastesh jam informuar prej njerëzve kompetent se gjyqtari i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën ndaj meje. Janë këto momente të vështira për mua dhe familjen time dhe për juve që më keni mbështetur për këto tri dekada në kuadër të përpjekjeve tona për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, ka deklaruar presidenti Thaçi. Ai ka bërë të ditur se do të bashkëpunoj ngushtë me drejtësinë dhe nga ky moment do të jetë në dispozicion të drejtësisë. “Duke besuar në drejtësi, unë besoj në të vërtetën, pajtimin dhe të ardhmen e shtetit dhe shoqërisë tonë. Prandaj, sot më shumë se kurrë ju lus dhe ju bëj thirrje që të mos humbni shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë ju ftoj që të reflektojmë se sa shumë kemi fituar si komb në këto tri dekada. Kemi fituar lirinë, pavarësinë dhe tani po ndërtojmë dhe zhvillojmë vendin tonë”, ka shtuar Thaçi. Ai tutje ka theksuar se aktakuza kundër tij dhe bashkëluftëtarëve të tij është çmim i vogël i radhës që kërkohet ta paguajnë për lirinë e vendit dhe popullit tonë. “Shumë lehtë sikur edhe të tjerët kam mundur të mos jem fare këtu sot në këtë botë, sikur edhe mijëra bashkëkombës tonë që dhanë jetën për liri dhe pavarësi. Unë jam me fat që jam gjallë dhe kam parë me sytë e mi dhe e kam përjetuar ëndrrën tonë shekullore duke u bërë realitet. Jam krenar që kam qenë pjesëtar i UÇK-së, vlerës më sublime të kombit shqiptar. Jam krenar që së bashku me Bashkësinë Ndërkombëtare, me aleatët tanë me NATO-n kemi luftuar regjimin gjenocidial të Millosheviqit dhe që bashkërisht e kemi fituar lirinë”, ka deklaruar tutje presidenti. 

SHARE