RAMA: NË KOSOVË SITUATA ËSHTË E RREZIKSHME

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama tha se ngjarjet e 24 shtatorit në manastirin e Banjskës janë tregues se situata në veri të Kosovës po bëhet e rrezikshme.

“Gjendja është në një pikë ku vit pas viti rreziku po shtohet. Aktivitetet kriminale në zonën ku jeton kryesisht minoriteti serb, tani po ndërthuren me axhendën politike dhe shumë nacionalizëm,” tha Rama.

Duke folur për gazetarët para nisjes së samitit të Komunitetit Politik Europian në Granada të Spanjës, kreu i qeverisë shqiptare kritikoi qëndrimin e butë të Bashkimit Europian ndaj Serbisë, në përgjigje të pyetjes nëse Beogradi meriton të përballet me sanksione pas kësaj ngjarjeje.

“Vetëm fakti i thjeshtë që Republika e Serbisë shpalli ditë zie kombëtare në nderim të pjesëtarëve të vrarë të grupit kriminal paraushtarak që vrau policin e Kosovës, ishte i mjaftueshëm për BE-në të çohej dhe të thoshte që kjo nuk është konform parimeve europiane, kjo është e papranueshme dhe kjo është e ndëshkueshme,” theksoi ai.

Në këtë situatë, Rama përsëriti edhe qëndrimin e tij që NATO të marrë nën kontroll kufirin me Serbinë para se të jetë tepër vonë.

“Është shumë e rëndësishme që ka përparim dhe vullnet të qartë brenda NATO-s për të fuqizuar misionin e KFOR-it në veri, pasi kufiri atje është bërë krejtësisht transparent. Aty bëhet trafik i të gjithë llojeve të armëve e aktivitete të tjera kriminale,“ përfundoi Rama.

SHARE