Dalja e Mehmed Zenkës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) e kështu edhe nga kursi politik i asaj strukture, si dhe deklarata e sekretarit të përgjithshëm të Demokratëve dhe deputetit Boris Bogdanoviq se kushdo që heq dorë nga ajo politikë është i mirëseardhur, është garanci që mandatari Millojko Spajiq tashmë ka mbështetjen e 41 deputetëve, tha deputeti i Forumit Shqiptar Nikollë Camaj.
Sipas Camajt, deklarata e Bogdanoviqit është një reagim i mirë ndaj topit që ishte në fushën e Demokratëve.
Bogdanoviq ka deklaruar për “Dan” se kushdo që heq dorë nga PDS-ja dhe qendrat e tyre kriminale të pushtetit, që dënon keqbërjet e tyre dhe duart e të cilit mbeten të pastra nga keqbërjet e tyre, është i mirëpritur për bashkëpunim.
“Qeveria që numëron 41 deputetë (nga 81 sa numëron parlamenti) është standard, është normë dhe çdo gjë mbi këtë është e mirëpritur, por jo e nevojshme. Shpesh dëgjohet se për një qeveri të qëndrueshme, kësaj rradhe duhen së paku 49 deputetë, sepse gjoja do të krijohej kusht për miratimin e shumë akteve dhe emërimeve, që do t’i hapte rrugë integrimeve euroatlantike”, tha Camaj.
Megjithatë, ai në komunikatën për media thekson se as 49 deputetë nuk e sigurojnë kursin euroatlantik, nëse në mesin e tyre ka nga ata që kanë rezerva për kursin properëndimor të Malit të Zi.
“Pra, qeveria prej 41 deputetësh, që i përkasin narrativës së integrimeve euroatlantike, do të ketë sukses të lobojë në veprimet e opozitës, e cila gjithmonë ka avokuar atë rrugë, ose që e ka ndjekur atë rrugë, por që është e bllokuar për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar të një pjese të mazhorancës së atëhershme, për të zhbllokuar atë rrugë, se sa një qeveri prej 49 deputetësh, nëse mes tyre ka nga ata që shprehin hapur pikëpamjet proruse”, beson Camaj.
Ai e përgëzoi Zenkën për vendosmërinë e tij dhe shtoi se nuk kishte asnjë dyshim se do t’i bashkohej klubit të deputetëve shqiptarë, “ku ai e kishte vendin gjithmonë dhe për të cilin kemi diskutuar në disa raste”.
“Por gjithsesi më gëzon veprimi i tij dhe në të njëjtën kohë pres që të na bashkohet edhe deputeti i katërt dhe kur është fjala për procesin integrues dhe realizimin e të drejtave të pakicave, në aspektin afirmativ dhe decentralizimit të pushtetit, pres që të na bashkohen edhe deputetët e tjerë shqiptarë, sepse përndryshe janë pjesë e historisë integruese të Malit të Zi. Në këtë aspekt, për bashkëpunim partneriteti të bazuar para së gjithash në parime, për të gjithë ata që respektojnë vlerat tona properëndimore, por edhe tradicionale, dyert tona do të jenë gjithmonë të hapura”, tha Camaj.