LIGJVËNËSIT AMERIKANË I KËRKOJNË BIDEN TË ANGAZHOHET PËR ZGJIDHJEN E TENSIONEVE KOSOVË-SERBI

Grupi i Çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan u bëri të hënën thirrje Presidentit Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të dyfishojnë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e tensioneve Kosovë-Serbi si edhe i kërkuan administratës të shtojë angazhimin për një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve. Kërkesa e bërë përmes një letre dërguar zotit Biden dhe zotit Blinken, vjen si rezultat i atij që ligjvënësit e quajnë përshkallëzimin e fundit mes Kosovës dhe Serbisë. “Javën e fundit u shfaq një situatë shqetësuese si rezultat i një mobilizimi ushtarak në kufi, duke kërcënuar stabilitetin e pasigurt në rajonin e Ballkanit. Duke pasur parasysh forcën joproporcionale të forcave të armatosura të Serbisë, ne ju bëjmë thirrje që të ripërtërini angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’u siguruar që aleati ynë Kosova të marrë trajtim të drejtë dhe njohje si vend i pavarur”, thuhet në letrën e ligjvënësve amerikanë. Ata shtojnë se të dielën, tensionet u përshkallëzuan kur avionët luftarakë serbë fluturuan pranë kufirit Kosovë-Serbi. Duke iu referuar zbatimit për reciprocitetin e targave, grupi për çështjet shqiptare, që ka si bashkëkryetarë anëtarët e Kongresit Ritchie Torres the Jim Hines, thotë se masa e Kosovës u mor pas dhjetë vjetësh që Serbia e ka ndërmarë këtë veprim. Ata nënvizojnë se Serbia ka kërkuar vazhdimisht të minojë legjitimitetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe bëjnë thirrje që Shtetet e Bashkuara “duhet të vazhdojnë të qëndrojnë me aleatin tonë Kosovën”. “Ne ju bëjmë thirrje që të dënoni përshkallëzimin e fundit të tensioneve dhe mobilizimin ushtarak serb, si dhe inkurajojmë administratën tuaj që të bashkohet me partnerët tanë në BE dhe NATO, për të mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe përfundimtare”, vazhdon letra.

SHARE