TRUMP I BËN PRESION EVROPËS PËR NAFTËN RUSE

Presidenti amerikan, Donald Trump, duket se mori një qëndrim më të ashpër me mbështetësit kryesorë evropianë të Kievit, duke u thënë atyre se duhet t’i bëjnë më shumë presion financiar Rusisë dhe aleates së saj kryesore, Kinës, për ta detyruar Kremlinin që t’i japë fund luftës në Ukrainë, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Udhëheqësit evropianë e ftuan “presidentin Trump në takimin e Koalicionit të Vullnetit”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë lidhur me telefonatën e zhvilluar më 4 shtator, pas takimit në Paris që zhvilluan mbështetësit e Kievit.

“Presidenti Trump theksoi se Evropa duhet të ndalë blerjen e naftës ruse që po financon luftën – pasi Rusia mori 1.1 miliard euro nga shitjet e karburanteve për Bashkimin Evropian brenda një viti”, tha zyrtari, sipas Reuters.

Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë shtoi se Trump gjithashtu tha gjatë bisedës telefonike se “udhëheqësit evropianë duhet të ushtrojnë presion ekonomik mbi Kinën për financimin e përpjekjeve të luftës të Rusisë”.

Trump, i cili foli me udhëheqësit evropianë pas mbledhjes në Paris, nuk komentoi drejtpërdrejt për takimin në Paris. Por, në deklarimet e mëvonshme për gazetarë, ai tha se “po, do ta bëja”, kur u pyet nëse planifikonte të fliste me presidentin rus, Vladimir Putin, në të ardhmen e afërt.

Evropa, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, ka tentuar të ulë varësinë që ka nga Rusia sa i përket furnizimeve me energji. Komisioni Evropian ka propozuar legjislacion për të hequr gradualisht importet e naftës dhe gazit rus nga BE deri më 1 janar 2028.

Hungaria dhe Sllovakia, shtete që udhëhiqen nga liderë nacionalistë që kanë lidhje të ngushta me Kremlinin, kanë vazhduar të importojnë produkte energjetike ruse, pavarësisht përpjekjeve të BE-së për diversifikim.

Deklaratat e Shtëpisë së Bardhë erdhën pas presidentit francez, Emmanuel Macron, – një nga udhëheqësit e Koalicionit të Vullnetit, së bashku me kryeministrin britanik, Keir Starmer – tha se 26 vende ishin pajtuar që të merrnin pjesë në garancitë e sigurisë që do t’i ofroheshin Ukrainës pas përfundimit të luftës, duke shtuar se mbështetja e SHBA-së për këtë plan do të finalizohet në ditët në vijim.

SHARE