PROTESTË KUNDËR DEPONISË NË OMERBOZHAJ – BANORËT BLLOKOJNË RRUGËN

Foto: TV Boin

Banorët e fshatit Omerbozhaj u mblodhën sot në një protestë kundër deponisë që ndodhet në këtë zonë.

Krahas tyre, në protestë morën pjesë edhe banorë të Dinoshës dhe Mileshit, të cilët po përballen me të njëjtat pasoja nga menaxhimi i mbeturinave.  

Ata theksuan se pakënaqësia e tyre lidhet me erën e padurueshme, hedhjen pa kontroll të mbetjeve shtazore dhe planet për ndërtimin e një kade të pestë, projekt që, sipas tyre, do të kundërshtohet me vendosmëri.

Banorët paralajmërojnë se prania e deponisë pranë shtëpive po rrezikon seriozisht shëndetin e komunitetit, veçanërisht të fëmijëve dhe të moshuarve, duke ndotur ajrin, ujërat dhe duke ulur cilësinë e jetesës në këtë zonë.

Në protestë mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.

Nga Komuna u theksua se prania e tyre ishte në shenjë përkrahjeje për banorët e kësaj bashkësie dhe se tashmë janë ndërmarrë hapat institucionalë të nevojshëm për trajtimin e problemit të deponisë.

Në vendin e protestës kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të policisë, të cilët e kanë ndjekur tubimin nga afër.

Për TV Boin u shprehën disa banorë të kësaj zone, të cilët treguan shqetësimin e tyre për pasojat që ka deponia në jetën e përditshme dhe kërkuan reagim sa më të shpejtë nga institucionet.

Nga ana tjetër, drejtori i kesaj ndermarrjeje Aleksandar Bozhoviq u shpreh se protesta është e drejtë legjitime e banorëve dhe se institucionet duhet të jenë të vëmendshme ndaj kërkesave të tyre, duke e parë këtë si një paralajmërim serioz për të vepruar më shpejt.

Ai shtoi se do të mundohen që të gjendet një zgjidhje e përbashkët.

Banorët e kesaj zone, shpresojnë që ky tubim të shënojë fillimin e një zgjidhjeje përfundimtare, që do t’u mundësonte të gjithëve të jetojnë në një mjedis më të pastër, më të sigurt dhe më të shëndetshëm.

SHARE