MACRON KONFIRMON GARANCITË E SIGURISË PËR UKRAINËN, 26 SHTETE TË BE-së GATI TË DËRGOJNË TRUPA

Sigurimi i garancive ushtarake për Ukrainën ishte në qendër të samitit të Parisit, ku u arrit një marrëveshje që duket se do të gëzojë presidentin Volodimir Zelensky.

Në këtë takim, i udhëhequr nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer, morën pjesë 35 krerë shtetesh dhe qeverish, disa personalisht dhe disa përmes lidhjeve me video.

Sipas Zelenskyt, i cili gjithashtu ishte pjesëmarrës, “Koalicioni i të Gatshmëve” mbështet kuadrin e gjerë të garancive të sigurisë për Ukrainën, duke theksuar rëndësinë e një ushtrie të fortë ukrainase.

Pas takimit, Zelensky theksoi se të gjithë ranë dakord që Rusia refuzon çdo iniciativë paqeje. Macron njoftoi se 26 vende janë të gatshme të dërgojnë trupa për të mbështetur armëpushimin ose paqen në Ukrainë, ndërsa disa shtete të tjera po shqyrtojnë mundësinë për t’iu bashkuar nismës.

Këto vende kanë bërë zotime zyrtare për të stacionuar trupa në Ukrainë ose për të mbështetur vendin dhe për të siguruar paqen përmes pranisë në tokë, det dhe ajër. Trupa e propozuar nuk ka qëllim të përfshihet në përplasje direkte me Rusinë, por synon të sigurojë paqen dhe të dërgojë një mesazh të qartë strategjik.

Para samitit, Franca dhe Britania e Madhe ranë dakord të dërgonin disa mijëra ushtarë në Ukrainë.

Në të njëjtën linjë ishin edhe Danimarka, Estonia dhe Lituania. Suedia u ofrua të mbikëqyrë hapësirën ajrore dhe detare për të ndihmuar në sigurimin e paqes, ndërsa Holanda shprehu gatishmërinë të ndihmojë nga ajri, deti dhe toka.

Gjermania, nga ana tjetër, deklaroi se nuk planifikon të dërgojë trupa, duke vendosur si prioritet kryesor pajisjen e forcave ukrainase me armë dhe duke theksuar se çdo vendim tjetër do të merret pas një armëpushimi.

SHARE