Foto: DAN
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka shprehur shqetësim të thellë për ndërprerjen e papërshtatshme të shfaqjes së filmit “Lejleku”, të regjisorit Isa Qosja, gjatë “Xhada Film Fest” në Podgoricë.
Një grup individësh ndërpreu në mënyrë të papranueshme këtë ngjarje kulturore, akt që Këshilli e dënon fuqishëm si shkelje të rëndë të lirisë së shprehjes dhe të drejtave kulturore dhe të pakicave.
Në deklaratën e saj, Këshilli thekson se gjuha shqipe, e cila është gjuhë zyrtare e garantuar me Kushtetutë në Mal të Zi, duhet të respektohet dhe trajtohet me nderim nga të gjitha institucionet dhe qytetarët, si pjesë thelbësore e të drejtave të pakicave për ruajtjen e identitetit kulturor.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka denoncuar vazhdimisht rastet e urrejtjes dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve, përfshirë edhe ato në rrjetet sociale, ku shpesh përdoret gjuhë diskriminuese dhe përbuzëse.
Kjo sjellje është e papranueshme dhe Këshilli bën thirrje për një shoqëri të barabartë dhe të paanshme, pa dallim etnie.
Po ashtu, Këshilli i bën thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj përgjegjësve për këtë incident dhe të sigurojnë një ambient të sigurt dhe të respektueshëm për të gjithë qytetarët.
„Veprimet që cënojnë kulturën e pakicave dhe përpiqen të dëmtojnë mirëkuptimin ndërmjet grupeve etnike, dëmtojnë rëndë stabilitetin dhe unitetin e Malit të Zi, një vend i ndërtuar mbi vlera multietnike dhe shumëkulturore,“ thuhet në deklaratë të KKSH-së.
Në përfundim të deklaratës, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ka theksuar se do të vazhdojë të angazhohet fuqishëm për kundërshtimin e çdo akti urrejtjeje dhe për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar si pjesë të pandashme të pasurisë kulturore të Malit të Zi.