Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar dhe ai i Bashkimit Evropian në Prishtinë e kanë takuar të enjten kryetarin e porsazgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, me të cilin, mes tjerash, kanë biseduar edhe lidhur me çështjen e konstituimit të organit ligjvënës të vendit, i cili ka nxitur polemika.
Ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, tha se e uroi Bashën për postin e tij dhe se me të u “pajtuan” se Kuvendi duhet të konstituohet plotësisht sa më parë, megjithëse as Kuvendi e as Basha nuk folën për pajtueshmëri të tillë në komunikatat e publikuara pas takimit.
“U pajtuam mbi rëndësinë e konstituimit të plotë të Kuvendit sa më shpejt që të jetë e mundur, duke respektuar çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese”, shkroi Hargreaves në Facebook.
Hargreaves tha se shpreson që ngërçi politik të zgjidhet shpejt në mënyrë që Kuvendi dhe një qeveri e re të mund ta vazhdojnë punën jetike për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se bisedoi me Bashën edhe për rëndësinë e konsultimit të mirëfilltë me komunitetin serb të Kosovës, për të siguruar pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqërinë kosovare.
Kuvendi theksoi se Basha e siguroi ambasadorin se Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve të vet.
Më vonë Basha e priti në zyrën e tij edhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.
“Kryetari dhe përfaqësuesi i BE-së diskutuan lidhur me ngjarjet e fundit politike në Kosovë dhe biseduan për rëndësinë e një legjislature efektive për realizimin e politikave integruese në BE”, thuhet në një njoftim të Kuvendit në Facebook.
Oravo, në anën tjetër, shkroi në X se me Bashën bisedoi për nevojën për të respektuar proceset kushtetuese, duke siguruar institucione gjithëpërfshirëse dhe shumetnike.
Ai shtoi se “BE-ja është këtu për të mbështetur Kosovën”, dhe se formimi i komiteteve qeveritare dhe parlamentare është kyç për avancimin e Planit të Rritjes.