QEVERIA MIRATOI LIGJIN PËR KREDITË KONSUMATORE

Qeveria e Malit të Zi ka njohur nevojën për mbrojtje shtesë të konsumatorëve, veçanërisht në dritën e numrit në rritje të subjekteve që ofrojnë instrumente të reja krediti.

Një nga reformat kryesore në këtë segment është miratimi i një Ligji të ri, unik për kreditë konsumatore, i cili është rezultat i analizave dhe konsultimeve të kujdesshme me Bankën Qendrore të Malit të Zi dhe të gjithë aktorët përkatës.

“Ky Ligj jo vetëm që harmonizon legjislacionin malazez me standardet evropiane, por gjithashtu prezanton një sërë masash të reja që forcojnë më tej mbrojtjen e konsumatorëve”, tha zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.

Gjeloshaj theksoi se për herë të parë në legjislacionin malazez, ky Ligj rregullon në mënyrë të detajuar kushtet për punën e ndërmjetësve të kredisë në kreditimin e banesave, si dhe rregullon çështjet e përgjegjësisë së kreditorit për punën e këtyre ndërmjetësuesve, duke siguruar shtesë që konsumatorët të mbrohen në çdo segment të procesit të kreditimit.

“Masat e përshkruara synojnë jo vetëm mbrojtjen e konsumatorëve, por edhe rritjen e konkurrencës mes kreditorëve, gjë që do të ndikojë pozitivisht në sigurinë e shlyerjes së kredisë dhe stabilitetin e tregut financiar”, përfundoi Gjeloshaj.

Krahas këtij Ligji, Ministria e Zhvillimit Ekonomik po punon për përgatitjen e rregulloreve të tjera të rëndësishme në fushën e legjislacionit të konsumatorit.

SHARE