FINLANDA ËSHTË MBËSHTETËSE E FORTË E KOSOVËS QË TË BËHET ANËTARE E NATO-s

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.

Ministrja Gërvalla tha se kjo vizitë e ministres Valtonen reflekton lidhjet e forta dhe të pandërprera dhe bashkëpunimin e ngushtë Kosovë-Finlandë. Ajo tha se një pjesë e rëndësishme e diskutimeve me ministren Valtonen u përqendrua në sfidat aktuale në Evropë, përfshirë luftën në Ukrainë.

“Dua të shpreh falënderimet e mia të thella për Finlandën dhe për gjithë mbështetjen që ka dhënë për Kosovën, nga ditët e vështira të luftës, deri në ndërtimin e një shteti të pavarur dhe demokratik. Së bashku do të vazhdojmë të ndërtojmë një Evropë të sigurt, të lirë dhe demokratike”, theksoi Gërvalla.

Ministrja Gërvalla falënderoi ministren Valtonen për pjesëmarrjen e trupave finlandeze në kuadër të KFOR-it.

Ajo tha se po ashtu në takim kanë folur edhe për zhvillimet në veri të vendit, veçanërisht për Urën mbi Ibër në Mitrovicë, për të cilën tha se “ura e cila ka simbolizuar ndarje për shumë vite, duhet të hapet”.

Ministrja finlandeze Valtonen tha se Finlanda ka mbështetur Kosovën drejt anëtarësimit në BE dhe po ashtu janë “mbështetës të fortë të Kosovës që të bëhet anëtare në Aleancën Veriatlantike (NATO)”.

“Finlanda është më se e gatshme që të punojë për të shtuar raportet tona tregtare dhe për t’i forcuar ato sektorë premtues në mes të vendeve tona, siç është digjitalizimi, energjia e pastër dhe ekonomia”, theksoi Valtonen.

Ajo tha se BE-ja dhe Ballkani Perëndimor duhet të fuqizojnë bashkëpunimin e tyre edhe në politikat e sigurisë së jashtme. Sipas Valtonen, Finlanda e përkrah procesin e dialogut dhe është pjesë e Misionit të KFOR-it dhe Misionit të EULEX-it.

Valtonen e cila dje qëndroi në Shqipëri, pas Prishtinës do të vizitojë Beogradin. Siç është bërë e ditur, qëllimi i vizitës së Valtonen, është forcimi i marrëdhënieve politike dhe tregtare me partnerët e Finlandës në Ballkanin Perëndimor.

SHARE