AKSIONI I KUFIZIMIT TË MARZHEVE FILLON TË PREMTEN DHE DO TË ZGJASË DERI NË FUND TË JANARIT 2025

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj tha se aksioni për kufizimin e marzheve do të nisë zyrtarisht të premten, më 6 shtator.

Gjatë këtij aksioni shtetëror, produktet do të etiketohen pak më ndryshe se gjatë masës së mëparshme të ngjashme.

Ai e tha këtë në një konferencë për media pas seancës së Qeverisë.

Aksioni do të zgjasë deri më 31 janar të vitit të ardhshëm.

Gjeloshaj deklaroi se logoja e etiketimit të produktit do të jetë paksa e ndryshme nga aksioni i fundit “Çmime të kufizuara” dhe se më shumë informacion mund të gjeni në ueb-faqen e Qeverisë.

Ai tha se qytetarët për aksionin do të njoftohen përmes mesazheve telefonike dhe se kanë përgatitur edhe fletushka.

“Në ueb-faqen do të ketë mundësi që qytetarët të raportojnë vetë, nëse kanë vërejtur diku se tregtia nuk është në përputhje me vendimet e Qeverisë, sigurisht që Inspeksioni i Tregut do të bëjë punën e vet. Nga nesër qytetarët do të mund të blejnë më shumë se 1000 produkte me çmime të limituara. Mendoj se në periudhën në vijim do të shpallim çmimet e artikujve para dhe pas fushatës”, tha ai dhe shtoi se të gjitha dyqanet kishin kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.

Qeveria do të kufizojë marzhet në dyqanet me shumicë dhe pakicë në 66 produkte ushqimore dhe higjienike dhe krahasuar me fushatën e mëparshme “Çmime të kufizuara”, lista e produkteve tashmë përfshin fruta, perime, disa lloje të tjera mishi dhe produkte të higjienës personale.

Masa e mëparshme, e cila kufizon marzhet për pesë ushqime bazë, në pesë për qind në tregtinë me shumicë dhe pesë për qind në tregtinë me pakicë, mbetet në fuqi. Kjo listë përfshin miellin e grurit (lloji 400 dhe 500), sheqerin e grimcuar, vajin e lulediellit ushqimor dhe një kilogram kripë gjelle.

Për sektorin ushqimor në dyqanet me shumicë dhe pakicë, marzhet janë të kufizuara në 10 për qind. Qeveria ka kufizuar gjithashtu marzhet për produktet higjienike në një maksimum prej 10 përqind në shitje me shumicë dhe 15 përqind në pakicë.

SHARE