MACRON DHE SCHOLZ ANGAZHOJNË KËSHILLTARË PËR TË NDIHMUAR DIALOGUN KOSOVË-SERBI

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz thanë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor. Ata thanë se kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t’i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Macron dhe Scholz në një letër të përbashkët drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thanë se në dritën e agresionit rus ndaj Ukrainës, duhet të bëhen përpjekje më të forta që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet. “Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale”, thuhet në letër. Macron dhe Scholz u kanë bërë thirrje Kurtit dhe Vuçiqit që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat, siç u tha në letër, çojnë drejt përparimit të dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga BE-ja. “Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik”, thuhet në letër. “Propozimi ynë është, që këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Mirosllav Lajçak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt”, thuhet në letrën dërguar Kurtit dhe Vuçiqit.

SHARE