OSMANI TËRHEQ KËRKESËN NË KUSHTETUESE PËR SEANCËN KONSTITUIVE PËR SHKAK TË GJYQTARIT SERB: RREZIK PËR SIGURI KOMBËTARE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar të martën se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Në një konferencë për media, Osmani tha se vendimi për tërheqjen e kërkesës është marrë si reagim ndaj caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues i kësaj lënde, të cilin ajo e cilëson si figurë problematike për sigurinë e shtetit.

“Sot, në përputhje me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren përkatëse, kam tërhequr kërkesën e paraqitur më 22 korrik 2025. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës, tashmë të konfirmuar, se si gjyqtar raportues në këtë rast është caktuar Radomir Laban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024 institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se, sipas të dhënave të sigurisë, gjyqtari Laban përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe ka qenë i përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues të vendit.

“Caktimi i tij në një çështje të një rëndësie të tillë kushtetuese është thellësisht shqetësues dhe mund të krijojë pasoja serioze për institucionet tona,” theksoi presidentja.

Presidentja ka kërkuar vëmendje të shtuar ndaj integritetit të institucioneve kushtetuese dhe sigurisë së shtetit, duke nënvizuar se nuk mund të lejohet që çështje të ndjeshme të trajtohen nga individë për të cilët ekzistojnë dyshime të thella për rrezikshmëri ndaj rendit kushtetues të Kosovës.

Tutje theksoi se gjyqtari Llaban nuk është emëruar nga ajo, por në vitin 2018, dhe se procedura për shkarkimin e një gjyqtari të Kushtetueses kërkon një vendim të marrë nga dy të tretat e anëtarëve të kësaj gjykate, çka e bën të pamundur çdo veprim të Presidencës pa një propozim zyrtar nga vetë gjykata.

SHARE