Foto: Ilustrim
Ministria e Financave e Malit të Zi ka deklaruar se situata financiare në vend është stabile dhe se realizimi i buxhetit shtetëror për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 tregon trende pozitive.
Të ardhurat totale buxhetore kanë arritur në 1.322,8 milionë euro, që është 1% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Është shënuar rritje në të gjitha kategoritë kryesore të të ardhurave tatimore, përfshirë TVSH-në, tatimin mbi fitimin, akcizat dhe tatimin mbi të ardhurat personale.
Deficiti buxhetor ishte 9 milionë euro më i ulët se plani dhe përfaqëson 1,4% të PBB-së së vlerësuar.
Ministria thekson se këto të dhëna hedhin poshtë pretendimet për rënie të të ardhurave dhe vërtetojnë efektivitetin e reformave fiskale.
Shpenzimet e qershorit ishin 6,7% mbi planin, kryesisht për shkak të blerjes së anijeve ushtarake për ushtrinë, të financuara përmes një kredie të dedikuar nga Franca – investim strategjik që nuk ndikon në deficitin buxhetor.
Përkundër disa devijimeve, realizimi i të ardhurave krahasuar me planin është 97,3%, dhe të dhënat paraprake për korrikun tregojnë një tejkalim të planit, duke konfirmuar trendin pozitiv.
Ministria ka theksuar rëndësinë e informimit korrekt të publikut dhe fton mediat të përdorin të dhëna të sakta e të plota për të shmangur keqinformimin.