Kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo, ka fituar zgjedhjet për kryetar të Himarës. Në zgjedhjet e mbajtura të dielën, më 4 gusht, ai fitoi mbi 1.400 vota më shumë se kundërkandidati i tij, Petro Gjikuria.
“Nuk ka festë, por do të vazhdojnë menjëherë punën dhe prioritet kemi turizmin. Gjikuria nëse nuk largohet për në Amerikë, është i mirëpritur si nënkryetar”, tha Tavo pas numërimit të votave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se procesi i numërimit të votave ishte i qetë dhe rezultati paraprak tregon se Tavo mori 58 për qind të votave, kurse rivali i tij, Gjikuria 41 për qind.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili njëherë është kryetar i Partisë Socialiste, e uroi Tavon për fitoren dhe tha se Himara do të shndërrohet në një prej “destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut”. Gjithashtu ai ftoi shqiptarët që punojnë në industrinë e turizmit në Greqi të kthehen, për siç tha, pagat më të mira dhe ajrin e pazëvendësueshëm.
Mbrëmjen e 4 gushtit, KQZ tha se procesi i votimit u zhvillua i qetë, me pjesëmarrje prej 36.9 për qind të trupit votues.
Megjithatë, rreth 6.000 votues nuk e ushtruan dot të drejtën e tyre për të votuar për shkak se kartat e tyre të identitetit kishin skaduar. Kjo u pranua nga kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
“Është e vërtetë që janë 6.000 votues të cilëve dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme. Do të duhet të them që e njëjta shifër votuesish ka qenë dhe në zgjedhjet e kaluar”, tha ai.
Celibashi gjithashtu bëri të ditur se gjatë vëzhgimit në terren ishte vërejtur se në një qendër votimi persona të paautorizuar mbanin shënim emrat e votuesve, dhe pas raportimit dhe ndërhyrjes, ata u larguan. Ndërsa, në një tjetër qendër votimi, komisionerët nuk lejuan gazetarët që të filmojnë dhe ndjekin procesin.