MILLATOVIQ I DORËZOI DEKORATË – URDHRIN E FLAMURIT TË MALIT TË ZI TË SHKALLËS SË DYTË, AMBASADORES SË BE-së

Presidenti Jakov Millatoviq i dorëzoi ambasadores së Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, dekoratë – Urdhrin e Flamurit të Malit të Zi të shkallës së dytë, që i jepet për merita të veçanta për Malin e Zi.

Millatoviq e falënderoi ambasadoren për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në përparimin e Malit të Zi në rrugën evropiane.

“Sot, këtu në Cetinë, ambasadores së Bashkimit Evropian, znj. Popa, i dhashë Urdhrin e Flamurit të Malit të Zi të shkallës së dytë për përpjekjet e saj për afrimin e Malit të Zi me Bashkimin Evropian. E ardhmja evropiane e Malit të Zi dhe anëtarësimi ynë i plotë në Bashkimin Evropian në vitin 2028 është përpjekja jonë e përbashkët, të cilën duhet ta bëjmë së bashku me institucionet e BE-së. Dera është e hapur për ne dhe ne kemi përgjegjësi edhe më të madhe në periudhën e ardhshme që të kalojmë sa më shpejt nga ajo derë”, tha presidenti Millatoviq.

Ai shprehu besimin se Komisioni i ardhshëm Evropian do t’i përkushtohet politikës së zgjerimit që nga fillimi i mandatit të ri, veçanërisht kur bëhet fjalë për Malin e Zi, i cili do të jetë një nxitje dhe mesazh për vendet e tjera kandidate se procesi i zgjerimit është akoma gjallë.

Ai gjithashtu theksoi se është e nevojshme që lidershipi malazez të njohë rëndësinë e këtij procesi dhe të vendosë interesin shtetëror të Malit të Zi para interesit partiak, sepse vetëm kështu mund të ecë përpara vendi ynë.

Ambasadorja Popa tha se ishte një nder i madh për të që mori Urdhrin e Flamurit të Malit të Zi në shenjë mirënjohjeje për aktivitetet e saj në mandatin e ambasadorës të Bashkimit Evropian në Mal të Zi në 4 vitet e fundit, si dhe për institucionet që ajo përfaqëson.

“Dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për presidentin Millatoviq, i cili më dha këtë çmim, por edhe për popullin malazez, sepse një nga qëllimet kryesore të mandatit tim ishte afrimi i Bashkimit Evropian me qytetarët. Shpresoj që ia kam dalë me ekipin tim”, tha Popa.

Ajo vlerësoi se Mali i Zi ka arritur progres të jashtëzakonshëm në vitet e kaluara dhe se mundësia e anëtarësimit të vendit në BE është bërë realitet.

“Mezi pres të shoh përparim të mëtejshëm të Malit të Zi në rrugën evropiane, dhe ndërkohë që politika e zgjerimit mbetet një prioritet për Komisionin e ri, unë inkurajoj të gjithë aktorët socialë dhe të gjithë vendimmarrësit të mbajnë fokusin e tyre në rrugën evropiane sepse është një realitet që mund të arrihet shumë shpejt, nëse të gjithë fokusohen te ky synim”, theksoi Popa.

SHARE