MILLATOVIQ DHE SPAJIQ KANË URUAR DITËN E KOMUNËS SË GUCISË

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka dërguar urime të përzemërta me rastin e Ditës së Komunës së Gucisë, kryetarit të Komunës Sanel Baliq, kryetarit të Kuvendit të Komunës Bujar Hasangjekaj, këshilltarëve dhe të gjithë banorëve të Gucisë.

“Hapja e vendeve të reja të punës, intensifikimi i investimeve dhe aktivitetit ekonomik, së bashku me bashkëpunimin me diasporën e shumtë nga ky rajon, do të krijojnë kushte që të rinjtë të mos largohen, por të marrin pjesë aktive dhe të kontribuojnë në zhvillimin e përgjithshëm të Gucisë dhe në veri të Malit të Zi, me urimet më të mira që Gucia të bëhet një vend ku njerëzit do të jenë të lumtur të vijnë dhe të qëndrojnë, ju uroj edhe një herë përzemërsisht ditën e komunës”, thuhet në urimin e Presidentit Millatoviq.

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, i ka dërguar një mesazh urimi kryetarit të Komunës Sanel Baliq, kryetarit të Kuvendit Bujar Hasangjekaj, si dhe të gjithë qytetarëve, me rastin e 5 gushtit, Ditës së Komunës së Gucisë.

“Për shekuj me radhë, duke mbledhur ndikime të ndryshme qytetëruese, Gucia ka ndërtuar dhe ruajtur një identitet multietnik dhe multikulturor, si një vlerë që shërben për ta bërë Malin e Zi krenar. Natyra mbresëlënëse, monumentet e vlefshme kulturore dhe historike dhe mikpritja e rrënjosur në traditë e bëjnë këtë rajon tërheqës, me mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik”, tha kryeministri në urimin e tij.

Spajiq po ashtu deklaroi se me rinovimin e statusit komunal, njohja dhe realizimi i qëllimeve të zhvillimit lokal ishte më i vendosur dhe më i përgjegjshëm. Me zbatimin e projekteve strategjike, shtoi ai, do të evidentojmë më qartë avantazhet dhe pasurinë cilësore të rajonit verior.

“Jam i bindur se përmirësimi i infrastrukturës do të nxisë valorizimin më të mirë të potencialit të Gucisë, do të përmirësojë standardin e jetesës dhe do ta bëjë ofertën turistike më kuptimplotë. Bashkëpunimi i intensifikuar ndërkomunal dhe ndërkufitar janë të një rëndësie të veçantë për zhvillimin e balancuar rajonal, që është një nga detyrat parësore të progresit të shtetit”, ka thënë Spajiq në urimin e tij.

SHARE