SPAJIQ SHKON NË SAMITIN E NATO-s: MBËSHTETJE PËR PAKETËN E RE PËR UKRAINËN

Delegacioni i Malit të Zi i kryesuar nga kryeministri Millojko Spajiq do të marrë pjesë në takimin e krerëve të shteteve dhe qeverive të anëtarëve të NATO-s në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga 9 deri më 11 korrik.

Në delegacion përveç kryeministrit janë edhe 12 anëtarë të tjerë, ndër të cilët ministri i Punëve të Jashtme, Filip Ivanoviq dhe ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq.

Përveç krerëve të shteteve dhe qeverive të anëtarëve të NATO-s, është planifikuar edhe pjesëmarrja e vendeve partnere, përkatësisht presidentit të Ukrainës, kryeministrave të Japonisë, Australisë, Zelandës së Re dhe presidentit të Republikës së Koresë, si dhe presidenti i Këshillit Evropian dhe presidenti i Komisionit Evropian, sipas platformës së miratuar nga Qeveria.

Samiti në Uashington ka një rëndësi të veçantë sepse do të shënojë një jubile të rëndësishëm – 75 vjet nga themelimi i aleancës më të fuqishme ushtarako-politike dhe do të jetë një mundësi për aleatët që të tregojnë edhe një herë unitetin dhe solidaritetin e tyre në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë.

SHARE