IVANOVIQ: PROCESI I BERLINIT ËSHTË MODELI MË I MIRË PËR PËRSHPEJTIMIN E PERSPEKTIVËS SË BE-së

Procesi i Berlinit paraqet modelin më të mirë për përshpejtimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, vlerësoi ministri i Punëve të Jashtme Filip Ivanoviq, duke shtuar se Mali i Zi përpiqet të jetë pjesëmarrës i besueshëm në aktivitetet që janë me interes të përbashkët për vendet e rajonit.

Ivanoviq në konferencën “Procesi i Berlinit dhe bashkëpunimi rajonal: Sfidat, mundësitë dhe rekomandimet për Malin e Zi”, organizuar nga Bashkimi Pan-Evropian Malazez (CPEU), tha se bashkëpunimi rajonal është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi dhe një katalizator i rëndësishëm për arritjen e prioriteteve të tjera shtetërore.

Ivanoviq vuri në dukje se Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore janë në qendër të agjendës së politikës së jashtme të Malit të Zi në të gjitha fushat, nga qëllimi më i rëndësishëm, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE), deri te roli aktiv dhe i dukshëm i Malit të Zi në organizatat shumëpalëshe dhe rajonale.

“Procesi i Berlinit përfaqëson modelin më të mirë për përshpejtimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor,” tha Ivanoviq. Ai tha se Mali i Zi është pjesëmarrës aktiv në procesin e Berlinit.

“Kjo mbështetet nga fakti se ne ishim të parët në rajon që ratifikuam Marrëveshjen e Lëvizshmërisë. Çdo zbatim i akteve është sfidues dhe kërkon shumë punë. Çdo harmonizim i fazave të reja në integrim është një hap më tej drejt BE-së”, tha Ivanoviq.

Ai tha se Mali i Zi përpiqet që të përmbushë të gjitha obligimet në kuadër të procesit të Berlinit dhe të jetë pjesëmarrës i besueshëm si dhe iniciues i shumë aktiviteteve që janë me interes të përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Sot, dhjetë vjet nga themelimi i atij mekanizmi të rëndësishëm, ne kemi mundësinë të përmbledhim rezultatet dhe të ideojmë aktivitete të mëtejshme që do të kontribuojnë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin më të shpejtë në BE”, shtoi Ivanoviq.

SHARE