Komisioni Evropian (KE) beson se Mali i Zi do të vazhdojë të përgatisë projekte për ridorëzimin e tyre të mundshëm në thirrjet e ardhshme të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), tha zëdhënësja e KE, Ana Pisonero.
Të martën, kryeministri Dritan Abazoviq tha se bisedat për dështimin e Malit të Zi për të marrë para për projekte nga Bashkimi Evropian “i përshtaten dikujt për arsye politike”.
Ministria e Çështjeve Evropiane tha se perceptimi i KE-së për gatishmërinë e pamjaftueshme të projekt propozimeve për financim në kuadër të kësaj thirrjeje nuk nënkupton një shans të humbur një herë për financimin e tyre, por një periudhë shtesë gjatë së cilës do të punohet në përgatitjen e dokumentacionit të projektit dhe parakushtet tjera për fillimin e zbatimit të projektit, në mënyrë që të jenë gati për financim.
Pisonero përsëriti se Mali i Zi paraqiti projekte investimi në fushat e energjisë, mjedisit dhe transportit.
Sipas saj, Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor vlerësoi se këto projekte investuese janë ose të parakohshme për financim ose të papërshtatshme për financim.
“Ne besojmë se Mali i Zi do të vazhdojë me përgatitjen dhe maturimin e atyre propozimeve për investime për ridorëzimin e mundshëm në thirrjet e ardhshme të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor,” i tha Pisonero agjencisë MINA.
Ajo tha gjithashtu se Mali i Zi përfiton nga tre projekte të asistencës teknike prej 3.5 milionë euro si pjesë e thirrjes për përgatitjen e investimeve në sektorin e transportit dhe energjisë.