Një 22-vjeçar, Robert Crimo është vënë në pranga nga policia si i dyshuari kryesor i të shtënave që errësuan festimet e 4 korrikut në SHBA. 6 persona mbetën të vrarë gjatë Paradës së Pavarësisë të mbajtur në Parkun Highland, në periferi të Çikagos dhe 31 të plagosur. Zyrtarët e emergjencave thanë se dhjetëra persona, përfshirë edhe fëmijë, janë trajtuar në spital për lëndime me armë zjarri dhe disa prej të plagosurve janë në gjendje kritike.Sulmuesi kishte hipur në një çati dhe prej aty, hapi zjarr ndaj qytetarëve që kishin dalë për të festuar Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Dhuna e armatosur po kthehet në një epidemi, nuk heq dorë nga lufta kundër saj deklaroi presidenti Joe Biden, që u shpreh i tronditur nga dhimbja e shkaktuar komunitetit amerikan në një ditë të shënuar për të.