KRIVOKAPIQ UDHËTON PËR NË LONDËR

Kryeministri Zdravko Krivokapiq do të zhvillojë një vizitë bilaterale në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut të Martën dhe të Mërkurën, 6 dhe 7 Korrik. Ai do të takohet me kryeministrin britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të tjerë britanikë gjatë vizitës së tij dy-ditore. Ky do të jetë takimi i parë dypalësh midis kryeministrave të dy vendeve në historinë e tyre. “Mali i Zi dhe Britania e Madhe ushqejnë marrëdhënie ndërshtetërore tradicionalisht të mira dhe miqësore dhe ndajnë një sistem të përbashkët të vlerave Euro-Atlantike, kështu që vizita e Kryeministrit Krivokapiq në Londër do të synojë forcimin e mëtejshëm të tyre, pasi Britania e Madhe është një partner shumë i rëndësishëm dhe i besueshëm i politikës së jashtme të Malit të Zi, sidomos kur bëhet fjalë për aleancën brenda NATO-s. Vizita do të ketë një rëndësi të veçantë në mënyrë që të sigurohet vazhdimi i mbështetjes britanike për procesin e reformës së Malit të Zi, që synon zhvillimin e mëtejshëm demokratik dhe forcimin institucional,” njoftoi Qeveria e Malit të Zi. Gjithashtu, shtojnë ata, vizita është një konfirmim i dialogut politik gjithnjë e më intensiv që të dy vendet po zhvillojnë, por është po ashtu një mundësi për të ngritur tema me interes të përbashkët dhe për të shkëmbyer përvoja se si të arrihen qëllimet strategjike. Gjatë vizitës, shkëmbimi i pikëpamjeve mbi sfidat e sigurisë dhe çështjet aktuale do të vazhdojë, si në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, por edhe në një nivel global.

SHARE