Foto: AFP
Policia e Shtetit ka njoftuar se do të ndërmarrë një sërë masash të sigurisë për ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë që mbahet të shtunën në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, ndërkohë që Federata Shqiptare e Futbollit tha se pret nga tifozët që ta mbështesin Kombëtaren në mënyrë korrekte dhe sportive dhe të mos e shohin këtë ndeshje si ‘luftë’.”
Shqipëria dhe Serbia janë pjesë e Grupit K për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Botëror 2026, së bashku me Letoninë, Andorrën dhe Anglinë. Aktualisht, Shqipëria ka 3 pikë dhe është e dyta në këtë grup, ndërkaq Serbia nuk ka asnjë pikë.
Policia shqiptare njoftoi se në kuadër të planit të hartuar për të ofruar siguri për këtë ngjarje, ajo do të kryejë kontrolle të rrepta të të gjithë personave që do të hyjnë në stadiumin në Tiranë, për të parë nga afër ndeshjen kualifikuese për Botëror.
Ajo tha se kjo do të bëhet me qëllim që tifozët të mos fusin në stadium banderola me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike e të tjera.
“Gjithashtu, apelojmë për qytetarët që të mos ngrenë dronë në perimetrin e sigurisë [përreth stadiumit ‘Arena Kombëtare’], sepse do të rrëzohen, pasi Policia e Shtetit do të përdorë pajisje antidronë”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit u bëri thirrje tifozëve që gjatë ndeshjes së futbollit t’i respektojnë ligjet.
Duke u thirrur në Kodin Penal të Shqipërisë, Policia ua kujtoi qytetarëve se hyrja në fushën e gjelbër gjatë lojës është vepër e dënueshme me gjobë, apo me burgim deri në tre muaj. Po ashtu, u tha se hedhja e sendeve të forta në fushë apo në drejtim të njerëzve dhe përdorimi i mjeteve piroteknike janë të dënueshme nga gjashtë muaj deri në tre vjet burgim.
“Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale, goditjen apo çdo vepër tjetër dhune, ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, dhe i dënon me burgim nga një deri në tre vjet. Kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, tha Policia e Shtetit.
Disa ditë para mbajtjes së kësaj ndeshjeje, grupi zyrtar i mbështetësve të Shqipërisë, i njohur si “Tifozat Kuq e Zi” njoftoi se nuk do të jetë i pranishëm në stadium, për shkak të pakënaqësisë me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF).
“Tifozat Kuq e Zi” përmes një reagimi në Facebook më 2 qershor, thanë se kësaj radhe nuk kanë blerë fare bileta, duke kritikuar mënyrën e shitjes së biletave.
“Ndryshe nga ndeshjet e mëparshme ku anëtarët tanë u organizuan për të siguruar bileta në sektorin tonë tradicional, këtë herë nuk morëm pjesë në farsën e organizuar me pretekstin e një ‘shorti’ të rremë. Ky sistem, i ndërtuar për të garantuar bileta për agjencitë turistike dhe më pas për të ushqyer pazaret e zakonshme, është thellësisht i padrejtë dhe i papranueshëm”, u tha në reagimin e grupit të tifozëve.
Ky grup, po ashtu, u ankua për çmimin e lartë të biletave për këtë ndeshje, duke thënë se ato variojnë nga 150 deri në 1.000 euro.
“Absurdi i kësaj ndeshjeje qëndron te hipokrizia e vazhdueshme e FSHF-së, e cila predikon gjithpërfshirje, por në realitet përjashton tifozët e vërtetë, ata që e kanë ndjekur Kombëtaren për më shumë se 21 vite”, thanë “Tifozat Kuq e Zi”.