BABOVIQ: PËR SHKAK TË DIPLOMAVE TË FALSIFIKUARA JANË PARAQITUR 89 KALLËZIME PENALE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Dragana Baboviq, deklaroi në mbledhjen e Komisionit për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Sport se numri i kërkesave për punësim në Mal të Zi po rritet nga viti në vit.

Ajo theksoi se Ministria që nga viti 2023 e deri më sot ka paraqitur 89 kallëzime penale për dyshime mbi dokumente arsimore të falsifikuara. Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Malit të Zi, në vitin 2023 kanë qenë 3.084 studentë në studimet bazë në institucionet e arsimit të lartë në Mal të Zi.

“Nëse kjo informatë krahasohet me të dhënat e Qendrës ENIC për vitin 2023, ku janë njohur gjithsej 1.648 diploma nga rajoni, atëherë arrijmë në përfundimin se përqindja e diplomave të njohura të huaja nga rajoni është 53,43% në raport me numrin e diplomave të lëshuara në Mal të Zi gjatë vitit 2023. Këto janë të dhëna zyrtare të Monstat-it,” theksoi Dragana Baboviq, sekretare shtetërore në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.   

Baboviq theksoi se Ministria ka ndërprerë procedurën për njohjen e dokumenteve arsimore për 60 persona nga gjimnazi i Tutinit në Republikën e Serbisë, për shkak se asaj shkolle i është ndaluar veprimtaria.

Gjithashtu, është ndërprerë njohja e dokumenteve arsimore nga gjashtë fakultete në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit ka paraqitur gjithsej:

  • 28 kallëzime penale në vitin 2023 për dyshime në falsifikim të dokumenteve arsimore,
  • 38 kallëzime penale në vitin 2024, dhe
  • 23 kallëzime penale në fillim të vitit 2025 deri më sot.

Baboviq theksoi se me amandamentin e propozuar, i cili parasheh formimin e një Trupi të veçantë pune për përgatitjen e një analize të gjendjes në fushën e njohjes së dokumenteve të huaja arsimore dhe barazimit të kualifikimeve, do të mundësohet mbrojtja e interesit publik, përforcimi i sigurisë juridike dhe integritetit gjatë procesit të njohjes së diplomave të huaja.

Ajo shtoi se ky amandament do të ndihmojë në përmirësimin e mekanizmave për mbrojtjen e tregut të punës dhe sektorit të arsimit në Mal të Zi.

SHARE