Synimi kryesor i vendeve të Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, tha kryeministri në mandat teknik dhe koordinator i Ministrisë së Punëve të Jashtme Dritan Abazoviq.
Sot në Budva, kryeministri Abazoviq priti krerët e diplomacisë dhe përfaqësuesit e lartë të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Siç thuhet në deklaratën e MPJ-së, në mbledhjen ministrore është miratuar Deklarata, miratimi i së cilës pritet në Samitin që do të mbledhë krerët e shteteve dhe qeverive në fund të qershorit në Podgoricë.
“Pjesëmarrësit uruan Malin e Zi për kryesimin e suksesshëm dhe kontributin në bashkëpunimin rajonal, i cili, siç theksuan, është element kyç për procesin e integrimit evropian. Ata mirëpritën aktivitetet kushtuar bashkëpunimit të sigurisë dhe ekonomisë, zhvillimit të qëndrueshëm, luftës kundër korrupsionit. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës u dënua përsëri dhe u konfirmua solidariteti i përbashkët me popullin ukrainas”, thuhet në deklaratë.
Abazoviq, siç shtohet në njoftim, gjatë takimit përshëndeti arritjet e vendeve të rajonit në aspektin e perspektivës evropiane në vitin e kaluar, duke u shprehur se “qëllimi kryesor i të gjithë neve është anëtarësimi në BE, bashkëpunimi më intensiv dhe siguria në Evropën Juglindore. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje rëndësinë e përfundimit të punës së nisur në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurimit të një standardi më të mirë jetese, në dobi të të gjithë qytetarëve”.