GJELOSHAJ: RIKONSTRUKCIONI I QEVERISË JO PARA NËNTORIT, DO TË SHOHIM KUSH E RESPEKTOI MARRËVESHJEN E KUSH JO

Qeveria është duke punuar shkëlqyeshëm dhe kur është duke punuar mirë, nuk ka nevojë për rikonstrukcion apo ndryshime, tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj.

„Ne kemi punuar shumë në pesë muaj. Jemi në rrugën e duhur dhe po ecim drejt që Mali i Zi të jetë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian. I kam përcjellë partnerëve ndërkombëtarë se në Mal të Zi është formuar një qeveri e besueshme evropiane. Të gjitha vizitat që kemi na tregojnë se jemi në rrugën e duhur,“ theksoi Gjeloshaj.

“Ne kemi një Marrëveshje, sipas së cilës rindërtimi i Qeverisë është i mundur në fund të vitit. Kur të vijë fundi i vitit, të gjithë konstituentët e shumicës parlamentare që janë dhe nuk janë në Qeveri do të analizojnë nëse janë përmbushur të gjitha pikat e marrëveshjes. Nëse janë, unë mbroj këtë mendim, ata që e respektuan mund të vazhdojnë rrugëtimin evropian me ne, por nëse kemi dikë që nuk e ka respektuar, do ta analizojmë dhe ky do të jetë një moment i ri”, tha Gjeloshaj gjatë konferencës së djeshme për shtyp.

Sipas tij, ai nuk e sheh mundësinë e rikonstrukcionit të Qeverisë deri në nëntor sepse nuk është përcaktuar me Marrëveshje që të jetë më e hershme.

“I kuptoj dëshirat dhe kërkesat. Por ne do t’i përmbahemi me përpikëri Marrëveshjes si përbërës të kësaj qeverie”, ka theksuar Gjeloshaj.

SHARE