Kryeministri i Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Fadil Novalliq, u dënua me katër vjet burgim për blerjen në mënyrë të paligjshme të respiratorëve kinezë gjatë pandemisë së koronavirusit.
Gjykata në Bosnje e Hercegovinë shpalli dënimin e shkallës së parë kundër Novalliq dhe të pandehurve të tjerë në këtë rast, të mërkurën.
Të akuzuar janë edhe ish shefi i Mbrojtjes Civile të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Fahrudin Sollak, dhe pronari i kompanisë bujqësore “Srebrena Malina”, Fikret Hoxhiq.
Sollak u dënua me gjashtë vjet burgim dhe Hoxhiq me pesë.
Kompania “Srebrena Malina” gjithashtu do të duhet të paguajë kompensim në një vlerë prej 100 mijë eurosh.
Novalliq nuk u paraqit në seancën e dhënies së dënimit. Ai është akuzuar se ka hartuar një plan për të përdorur para nga buxheti i vitit 2020 për blerjen e mjeteve dhe pajisjeve për të luftuar koronavirusin. Ai është bashkuar me Sollakun dhe Hoxhiqin “për të siguruar përfitime materiale” që më pas do t’i ndanin mes tyre.
Ministrja e Financave, Jellka Miliceviq, është cliruar ndërkohë nga akuzat se nuk i ka penguar ata të bëjnë një gjë të tillë. Gjyqi për blerjen e 100 ventilatorëve nga Kina, me vlerë 5.4 milionë euro, për nevojat e sistemit shëndetësor në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, ka filluar më 23 shkurt, 2021.
Respiratorët u blenë në prill të vitit 2020, një ditë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të pandemisë. Prokuroria e Sarajevës kishte nisur hetimeve pasi u bë e ditur se gjithcka ishte bërë pa tender dhe me marrëveshje të drejtpërdrejtë me kompaninë private “F.H. Srebrena Malina”, e cila merret me tregti frutash dhe perimesh.
Prokuroria e Shtetit e ka marrë më pas lëndën nga Prokuroria e Sarajevës dhe aktakuza është konfirmuar në fund të vitit 2020.