Cilat Ushqime Duhen Ruajtur Patjetër në Frigorifer dhe Cilat jo

Ndërsa të gjithë e dimë se ruajtja e produkteve në mjedise të freskëta i bën ato të rrojnë më gjatë, jo gjithçka që blejmë në treg duhet të futet brenda dhomëzës së ftohtë frigoriferike.

Ekzistojnë shpjegime shkencore se si frigoriferi mund të dëmtojë përshembull një domate të mirë.

Këtë e konfirmon për AgroWeb.org edhe Profesor Tokli Thoma, ekspert i bujqësisë, i cili thotë se domatja si pjesë e familjes Solarore kërkon një temperaturë të ngrohtë.

Temperatura ideale për domatet do të ishte rreth 12 gradë Celcius.

Mbase nuk e dini, por mollët që vendosni zakonisht poshtë, në koshin e frigoriferit bashkë më karrotat, do të bëjnë që perimet tuaja të prishen më shpejt se ç’e prisnit.

Lexoni më poshtë nga AgroWeb.org, disa udhëzime praktike se ku duhet tʼi ruani produktet ushqimore.

Domatet: Jo

Nëse domatet do të mbahen në frigorifer, do të humbin shijen dhe aromën.

Kjo sepse ajri i ftohtë ndalon pjekjen e tyre dhe prish membranën qelizore, duke i dhënë këtij produkti një shije karakteristike si të kokrrizuar.

Kafja: Jo

Ruajini pakot e kafes në një vend të freskët e të errët, por jo në frigorifer, sepse do të humbasë shijen dhe do të marrë aroma nga ushqimet pranë.

Megjithatë nëse keni sasi të mëdha kafeje mund t’i mbani në ngrirje.

Mjalti: Jo

Mjalti nuk prishet pothuajse kurrë, ndaj nuk ka asnjë arsye për ta ruajtur në frigorifer. Veç kësaj temperatura e ftohtë do ta bëjë që të kristalizohet.

Reçeli/Salcat: Pasi hapen

Reçeli, salcat e ndryshme dhe produkte të ngjashme duhet të ruhen në dollap deri sa të hapen, por pasi t’i hapni ruajini në frigorifer.

Djathi: Po

Disa lloje djathrash, veçanërisht djathrat e butë si djathi i bardhë tradicional shqiptar, duhet gjithmonë të ruhen në frigorifer.

Të tjerët si kaçkavalli, jo domosdoshmërisht duhet të ruhen në frigorifer.

Gjithsesi referojuni etiketave përkatëse.

Gjalpi: Brenda ose jashtë

Rekomandohet të ruani në frigorifer apo edhe në ngrirje gjalpin nëse nuk do ta përdorni brenda dy-tri ditëve.

Por shumë njerëz e mbajnë gjalpin në një enë jashtë frigoriferit. Përderisa ai bëhet nga qumësht i pasterizuar, zakonisht nuk ka pse të prishet.

Mollët: Brenda ose jashtë

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, mollët mund të qëndrojnë rreth një javë në temperature të mjedisit, ose më gjatë nëse i vendosni në frigorifer.

Disa lloje mollësh mund të ruhen më gjatë nëse i mbështillni një e nga një, të vendosura në një vend të izoluar dhe të freskët.

Bananet: Brenda ose jashtë

Shumë njerëz i ruajnë bananet në temperature të ambjentit. Mund t’i ruani në një çantë prej letre së bashku me një mollë apo domate në mënyrë që të piqen më shpejt.

Nëse do t’i ruani në frigorifer do t’i bëjë të marrin një ngjyrë kafe, edhe pse gjithsesi do të jenë të shijshme.

Vaji i ullirit: Jo

Mos e ruani vajin e ullirit në frigorifer sepse do të ngurtësohet ashtu si gjalpi. Do të ishte ideale ta ruani në një vend të freskët e të errët jashtë frigoriferit.

Qepët/Hurdhrat: Jo

T’i mbani qepët në frigorifer do t’i bëjë ato të zbuten dhe bëhen të qullta, falë lagështirës së ambjentit.

Mbajini në një vend të freskët e të thatë, po veçmas nga patatet, pasi nëse i mbani bashkë do të bëjë që të dyja të prishen më shpejt.

Mos i mbani hudhrat në frigorifer, sepse lagështia do t’i bëjë jo vetëm të zbuten por edhe të mbijnë. Duhen t’i mbani në një vend të freskët e të thatë.

Mishi i freskët/Peshku: Po

Ashtu si qumështi, edhe mishi i freskët apo i gatuar duhet të ruhet gjithnjë në frigorifer dhe veçmas nga ushqimet e tjera për të evituar kalimin e baktereve.

Borziloku dhe erzat: Jo

Borziloku dhe erzat e freksëta do të vyshken dhe do të marrin aromat e ushqimeve përreth nëse vendosen në frigorifer.

Më mirë t’i vendosni në një gotë me ujë si lulet dhe ashtu në ujë t’i ruani brenda ose jashtë frigoriferit.

Ose mund t’i copëtoni dhe t’i vendosni në ngrirje./AgroWeb.org

SHARE