KURTI DHE KONJUFCA I KËRKOJNË OPOZITËS NJË KANDIDATURË TË DYTË PËR PRESIDENT

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se shpreson që do të paraqitet një kandidaturë e dytë për president të Kosovës, në ditën e fundit të afatit kushtetues për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Këtë deklaratë, Kurti e bëri pas mbledhjes solemne të Qeverisë, në mëngjesin e 5 marsit, për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pasdite duhet t’i vazhdojmë përpjekjet që ta zgjedhim presidentin. Urojmë, besojmë, shpresojmë edhe në një kandidaturë të dytë, në mënyrë që ta përmbushim kërkesën kushtetuese për garë”, tha ai.

Aktualisht, i vetmi kandidat zyrtarisht i propozuar për president është Glauk Konjufca nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Konjufca, zëvendëskryeministër aktual dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, tha pas mbledhjes së Qeverisë se do të ishte mirë që edhe opozita të dilte me një kundërkandidat.

“Partitë politike, PDK-ja [Partia Demokratike e Kosovës] dhe LDK-ja [Lidhja Demokratike e Kosovës], duhet të përcaktohen që, nëse nuk e votojnë Glauk Konjufcën, kë do ta votojnë? Për besë, nëse e propozojnë ndonjë emër, ndoshta edhe unë e votoj”, tha ai.

Sipas tij, opozita mund ta propozojë edhe presidenten aktuale, Vjosa Osmani.

SHARE