Vanja Camaj është një sipërmarrëse dhe drejtuese biznesi në Podgoricë, e njohur për angazhimin e saj në fushën e biznesit kreativ dhe shërbimeve floristike. Ajo është themeluese dhe menaxhere e butikut të luleve “Celeste”, një biznes që me kalimin e viteve është shndërruar në një pikë referimi për aranzhime artistike, dekorime eventesh dhe krijime të personalizuara për raste të veçanta. Përmes përkushtimit, estetikës dhe kujdesit ndaj detajit, Vanja ka ndërtuar një identitet të veçantë të markës së saj, duke e lidhur punën me emocione, kujtime dhe momente të rëndësishme në jetën e klientëve.
Rrugëtimi i saj përfaqëson shembullin e një gruaje që ka ditur të kthejë pasionin në profesion dhe idenë në një biznes të qëndrueshëm. Përveç buqetave dhe aranzhimeve të përditshme, aktiviteti i saj përfshin edhe dekorime për dasma, fejesa, ditëlindje dhe evente të ndryshme kulturore e familjare, duke kontribuar në zhvillimin e sektorit të shërbimeve kreative. Ajo shprehet për ne se suksesi nuk matet vetëm me arritjet profesionale, por mbi të gjitha me kënaqësinë dhe emocionet që arrin t’u përcjellë klientëve. Sipas saj, kur një buqetë apo një dekorim sjell lumutir tek klientët, ajo ndihet e gëzuar dhe e emocionuar, dhe pikërisht kjo përbën pjesën më të madhe të suksesit të saj.
Mesazhi i saj për vajzat dhe gratë që duan të nisin një biznes është të besojnë në veten dhe instinktet e tyre, të punojnë fort dhe të investojnë tek vetja dhe tek ajo që dëshirojnë, qoftë në aspektin profesional apo shpirtëror. Ajo thekson rëndësinë e durimit, sepse çdo gjë e madhe kërkon kohën e vet. Ndonjëherë hapat mund të mos jenë të mëdhenj, por edhe hapat e vegjël kanë një rëndësi të madhe për të ardhmen.
Ky publikim është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Medias.
/ Fondi për nxitje të pluralizmit dhe shumëllojshmërisë të mediave /













