Bllokada e Ngushticës së Hormuzit nga Irani po rrezikon të shkaktojë tronditje të reja në tregjet globale të ushqimit, pasi po ndërpritet transporti i lëndëve të para për prodhimin e plehrave sintetike.
Sipas analistëve, zinxhiri global i furnizimit me lëndë ushqyese inorganike mund të përballet me probleme serioze nëse kufizimet në këtë korridor strategjik detar vazhdojnë edhe për disa javë, shkruan The Guardian.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të sjellë rritje të çmimeve për produkte të përditshme si buka, makaronat dhe patatet, ndërsa edhe ushqimi për kafshët mund të bëhet më i shtrenjtë.
Gjiri Persik është vendi ku ndodhen disa prej fabrikave më të mëdha të kimikateve në botë, dhe një bllokim i gjatë i transportit detar mund të rrisë ndjeshëm kostot e prodhimit.
Situata është përkeqësuar edhe nga ndërprerjet në prodhimin e energjisë në rajon: Katari ka mbyllur impiantin e tij më të madh të gazit pas një sulmi me dronë, ndërsa energjia përbën deri në 80% të kostos së prodhimit të plehrave të azotit.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse kufizimet në Ngushticën e Hormuzit zgjasin më shumë se dy javë, pasojat për tregjet globale të ushqimit mund të jenë shumë më të rënda se kriza e çmimeve që pasoi pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.









