ZELENSKY, BILANC DRAMATIK: UKRAINA KA HUMBUR 55 MIJË USHTARË NË LUFTË

Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky njoftoi se që nga fillimi i luftës me Rusinë, 55,000 ushtarë ukrainas kanë humbur jetën, ndërsa një “numër i madh” konsiderohet ende i zhdukur.

Zelensky bëri këto deklarata gjatë një interviste për France 2, duke dhënë një koment publik të rrallë mbi humbjet në front.

Dy vitet e para të pushtimit rus, qeveria ukrainase kishte shmangur komentet mbi jetët e humbura në radhët e ushtrisë, ndërsa në shkurt 2024, presidenti kishte folur për 31,000 të vdekur.

Nga ana tjetër, Rusia nuk publikon shifra zyrtare për humbjet e saj.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ukrainase raportoi se që nga fillimi i konfliktit në shkurt 2022, Rusia ka humbur mbi 1,2 milionë trupa, përfshirë të vdekur, të plagosur, të zhdukur dhe të kapur rob.

Ky zhvillim vjen ndërkohë që të dërguarit e SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, zhvilluan bisedime me negociatorë rusë dhe ukrainas në Abu Dhabi për ditën e dytë radhazi, për të diskutuar detajet e një marrëveshjeje të paqes të propozuar nga SHBA-ja.

Witkoff e përshkroi takimin si “të detajuar dhe produktiv”, por shtoi se “mbetet ende shumë punë për t’u bërë”.

SHARE