QEVERIA MIRATON PROGRAMIN 2026–2028 PËR PARANDALIMIN DHE KONTROLLIN E SËMUNDJEVE MALINJE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar Programin për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Malinje 2026–2028, duke reaguar ndaj situatës alarmante në vend, ku kanceri i qafës së mitrës po shndërrohet në një nga sfidat kryesore shëndetësore.

Sipas të dhënave zyrtare, te 61% e grave kjo sëmundje zbulohet vetëm kur ndërhyrja kirurgjikale nuk është më e mundur.

Gjatë vitit 2023, Instituti i Onkologjisë trajtoi 93 raste të reja të diagnostikuara me këtë lloj kanceri, ndërsa shumica e tyre u paraqitën në faza të avancuara të sëmundjes.

Kjo situatë e vendos Malin e Zi në mesin e vendeve me normat më të larta të incidencës dhe vdekshmërisë në Evropë, madje katër herë më të larta sesa në vende si Finlanda apo Zvicra, ku programet parandaluese janë të zhvilluara prej dekadash.

Veçanërisht shqetësuese është se sëmundja shfaqet më shpesh te gratë në moshë aktive, nga 30 deri në 65 vjeç.

Aktualisht, mbulimi me skrining është rreth 20%, çka konsiderohet i pamjaftueshëm për përmirësim real të situatës.

Programi i ri synon që deri në vitin 2028 të skrinohen të paktën dy herë gjatë jetës 70% e grave, duke zgjeruar grupmoshën deri në 64 vjeç, si dhe të forcohet vaksinimi HPV për vajza dhe djem nga 9 deri në 26 vjeç.

Po ashtu, planifikohet që koha nga dyshimi për sëmundje deri në diagnozën përfundimtare të mos kalojë 30 ditë. D

okumenti thekson gjithashtu se deri në 40% e rasteve të kancerit mund të parandalohen përmes masave primare, si reduktimi i duhanpirjes, ushqyerja e shëndetshme dhe lufta kundër obezitetit.

Megjithatë, Mali i Zi vazhdon të ketë nivele të larta të duhanpirjes dhe obezitetit, veçanërisht te fëmijët. Për zbatimin e këtij programi trevjeçar janë parashikuar 1.113.000 euro, të cilat do të investohen në modernizimin e regjistrit të sëmundjeve malinje, zhvillimin e patologjisë digjitale, telemjekësinë dhe trajnimin e vazhdueshëm të personelit shëndetësor.

SHARE