PELESHI: ANËTARËSIMI I KOSOVËS NË NATO, VENDIMTAR PËR SIGURINË E BALLKANIT

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka paralajmëruar për rreziqet e vazhdueshme ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është element thelbësor për stabilitetin e rajonit.

Gjatë fjalimit të tij në Forumin për Sigurinë, të mbajtur në Kongresin Amerikan, Peleshi e përshkroi Ballkanin Perëndimor si një rajon të ndjeshëm ndaj kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjeve të aktorëve të jashtëm.

“Ballkani Perëndimor mbetet i ndjeshëm në aspektin gjeopolitik, i ekspozuar ndaj përpjekjeve të huaja për të minuar stabilitetin, për të dobësuar institucionet demokratike dhe për të shkatërruar besimin te rruga Euro-Atlantike. Ky realitet kërkon vigjilencë, qëndrueshmëri dhe qartësi strategjike. Integrimet euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, u shpreh ai.

Duke folur për përgjegjësinë kolektive në fushën e sigurisë, Peleshi iu referua vendimit të Samitit të NATO-s në Hagë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, duke nënvizuar se Shqipëria tashmë po ndjek këtë kurs.

Ai nënvizoi se ky partneritet mbështetet në vlera të përbashkëta si demokracia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

SHARE