Kurti: Boshnjakët dhe shqiptarët në Serbi kërkojnë reciprocitet të të drejtave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe Këshilltaren Politike të Kryeministrit, Ardita Sinani, pritën përfaqësues politikë të komunitetit boshnjak e shqiptar që jetojnë nën Serbi.

Siç njoton Qeveria e Kosovës, nga delegacioni i “SDA Shanxhak” që kryesohej nga kryetari Sulejman Ugljanin, i shoqëruar nga kryetari i PVD, Shaip Kamberi, dhe dy deputetët e tjerë në Kuvendin e Serbisë, Enis Imamoviq dhe Selma Kuçeviq, kryeministri Kurti u njoftua për brengat dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen.

“Me përfaqësuesit boshnjakë dhe shqiptarë u diskutua edhe për elementet përbërëse të propozimit evropian për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të drejtat e komuniteteve joshumicë në shtetet tona pasqyrojnë demokracinë dhe zhvillimin tonë si shoqëri. Për dallim nga Serbia që nga Freedom House klasifikohet si shtet me regjim hibrid, Republika e Kosovës është shtet demokratik me të drejta dhe liri për të gjithë”, theksoi Kurti.

Kurti shtoi se komunitetet e ndryshme pa dallim duhet të trajtohen në kuadër të principeve universale e në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian.

Tre deputetët në Kuvendin e Serbisë që pranojnë Kosovën e pavarur, Enis Imamoviq, Selma Kuçeviq dhe Shaip Kamberi, së bashku me Sulejman Ugljanin, potencuan, sipas komunikatës, që janë të pakënaqur me statusin e boshnjakëve dhe shqiptarëve në përgjithësi e posaçërisht në komunat e Novi Pazarit, Tutinit e Sjenicës në Sanxhak si dhe të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Luginë, duke kërkuar reciprocitet të të drejtave me serbët në Republikën e Kosovës.

Tutje bëhet e ditur se ata u pajtuan se për paqe të qëndrueshme dhe siguri në Ballkanin Perëndimor duhet të ketë simetri të drejtash, dhe jo qasje privilegjuese ndaj një pakice apo komuniteti.

Pala ndërkombëtare, përfshirë përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë intensifikuar vizitat në Kosovë dhe kërkesën ndaj krerëve të institucioneve kosovare për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani midis Kosovës dhe Serbisë, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si një nga kushtet për të arritur deri tek një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.

Gjatë kësaj jave, kryeministri Kurti shpalosi gjashtë kushte të cilat duhet të plotësohen për t’u konsideruar formimi i Asociacionit në Kosovë, ndër të cilat përmendi edhe se çfarëdo të drejta të ketë për serbët në Kosovë, duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi, pasi, siç tha ai, “përgjithësisht ka më shumë shqiptar në Serbi sesa serb në Kosovë”.

SHARE