Pas muajsh përparimi të pasigurt në procesin e paqes, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Kievi do të përqendrohet këtë javë te aleatët evropianë në dy takime, me shpresën për ta “përshpejtuar fundin” e luftës së Rusisë kundër vendit të tij.
Në prag të takimeve, një sulm ajror rus mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev, dhe rajonin përreth vrau të paktën dy persona dhe plagosi disa të tjerë, thanë zyrtarët herët më 5 janar.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës raportoi se sulmi shkaktoi zjarr në një institucion mjekësor në distriktin Obolon të Kievit, ku kishte një sallë operacioni. Pas shuarjes së zjarrit, brenda ndërtesës u gjet një trup i pajetë, shtoi shërbimi i emergjencave.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia kreu sulme gjatë natës me nëntë raketa, përfshirë balistike, dhe 165 dronë sulmues.
Ndërkohë, Ukraina do të presë më vonë gjatë 5 janarit një takim të shefave të shtabeve të përgjithshme të vendeve evropiane, përfshirë ato të mbështetësve kryesorë të Kievit: Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.
Më 6 janar, presidenti francez, Emmanuel Macron, do të organizojë në Paris një takim të udhëheqësve evropianë në një seancë edhe më vendimtare — në të cilën udhëheqësi francez ka premtuar se mbështetësit e Kievit do të bëjnë angazhime “konkrete” për sigurinë e Ukrainës.
Në prag të bisedimeve, Zelensky u zotua se vendi i tij është i përgatitur për të gjitha mundësitë.
“Do të ketë takime në Evropë që duhet të bëhen një tjetër kontribut për mbrojtjen tonë dhe për përshpejtimin e përfundimit të luftës”, tha ai më 4 janar në fjalimin e tij të përnatshëm me video.
“Ukraina do të jetë e përgatitur për të dyja rrugët e mundshme përpara — diplomacinë, të cilën po e ndjekim, ose vazhdimin e mbrojtjes aktive nëse presioni nga partnerët tanë ndaj Rusisë rezulton i pamjaftueshëm”, tha ai.
“Ukraina kërkon paqe. Por Ukraina nuk do t’ia dorëzojë forcën e saj askujt”, shtoi ai.
Një ditë më parë, Zelensky këmbënguli se nëse nuk mund të arrihet një përfundim diplomatik i luftës gjatë negociatave për paqe, vendi i tij do të vazhdojë të mbrohet kundër pushtimit të plotë rus.








