Kosova ka pësuar rreth 99 milionë euro humbje gjatë vitit 2025, si pasojë e bllokadës institucionale dhe politike disa mujore, ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ai sqaroi se kjo shumë përbën 10% të totalit prej 882 milionë eurosh të parashikuara nga Plani i Rritjes, ndërsa për shkak të mosveprimit rrezikohet edhe marrëveshja me Bankën Botërore në vlerë 90 milionë euro.
Mediat në Kosovë raportojnë se humbjet mund të thellohen nëse nuk formohen shpejt institucionet pas zgjedhjeve ose nëse nuk miratohet zgjatja e buxhetit aktual për muajin e tretë.
Ndërkohë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë përfituar fonde nga Plani i Rritjes së BE-së:
- Shqipëria: 164 milionë euro
- Serbia: 111 milionë euro
- Maqedonia e Veriut: 76 milionë euro
- Mali i Zi: 45 milionë euro
Bashkimi Evropian synon që përmes Planit të Rritjes të integrojë këto vende në tregun e vetëm të BE-së dhe të stimulojë reformat e nevojshme lidhur me standardet e unionit.








