ERDHI STUHIA E MADHE E DIMRIT / -30 GRADË CELCIUS, BORË DHE NGRICA, KAOS NË EVROPË

Bosnja dhe Hercegovina është përballur me reshje të dendura, me 40 cm borë në kryeqytetin Sarajevë që nga e diela.

Në jug të vendit kanë rënë 60 deri 100 mm shi. Një grua humbi jetën në spital pasi u godit nga një pemë e rrëzuar nga era e fortë. Meteorologët paralajmërojnë se reshjet dhe rënia e temperaturave do të vazhdojnë gjatë gjithë javës.

Përveç Bosnjës, bora dhe akulli kanë shkaktuar kaos në trafikun ajror dhe hekurudhor në Evropë.

Qindra fluturime janë anuluar në Aeroportin e Amsterdamit, ndërsa probleme të ngjashme janë regjistruar në Zvicër dhe Holandë, ku edhe shërbimet hekurudhore janë ndërprerë.

Në Poloni pati vonesa të shumta në trenat e linjës, ndërsa në Republikën Çeke u regjistrua temperatura ekstreme -30.6°C në Pyllin Bohemian pranë kufirit me Gjermaninë. Aksidentet rrugore janë shtuar për shkak të rrugëve të rrëshqitshme, sidomos në zonat malore.

Në Skoci, qindra shkolla u mbyllën dhe shumë zona të Mbretërisë së Bashkuar janë nën paralajmërim për mot të keq për shkak të borës së dendura. Situata u përkeqësua edhe nga kthimi i shumë njerëzve në punë pas pushimeve të fundvitit.

Probleme janë regjistruar gjithashtu në Francë, ndërsa borë e madhe bie edhe në Rumani, ku disa fshatra në rajonin e Karpateve të Transilvanisë janë të izoluara nga rrugët e bllokuara.

Në Suedi, fluturimet në Aeroportin e Stokholmit u anuluan dhe priten reshje të reja bore gjatë mbrëmjes.

Në Austri, meteorologët lëshuan paralajmërim për mot të ftohtë, me temperatura që mund të bien deri në -17°C të martën, megjithatë nuk priten reshje të mëdha bore.

SHARE