Barometri i Ballkanit për vitin 2025 tregon rezultate pozitive për Shqipërinë, lidhur me dëshirën dhe ambicien për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.
Kështu, sipas Barometrit, 64% e Ballkanit Perëndimor ndihet “e sigurt” se bashkëpunimi rajonal mund të përmirësojë situatën ekonomike të vendeve.
Në këtë aspekt, Shqipëria mban rekordin me 77% për nga besueshmëria e qytetarëve se bashkëpunimi rajonal është një mjet i madh ndihmës. Në vend të dytë vjen Maqedonia e Veriut (71%), më pas Kosova (67%), Mali i Zi (67%), Serbia (61%) e në fund Bosnje Hercegovinë (52%).
Mbështetja e qytetarëve për integrimin e vendit në unionin evropian është shumë i rëndësishëm, ku dhe këtu Shqipëria kryeson me 86% përkrahje.
Në vend të dytë vjen Kosova me 78% të qytetarëve që suportojnë integrimin në BE, e më pas Maqedonia e Veriut (62%), Bosnja Hercegovinë (59%), Mali i Zi (59%), e në fund Serbia (42%).
Sa i përket mbështetjes civile për anëtarësimin në BE, sipas Barometrit janë rreth 64% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që e suportojnë këtë hap, pra rreth 10% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Në tërësi, Barometri i Ballkanit 2025 e pozicionon Shqipërinë si vendin më optimist dhe më të konsoliduar në rajon në rrugën drejt Bashkimit Evropian, me mbështetje të gjerë qytetare dhe pritshmëri konkrete për anëtarësim brenda kësaj dekade. Kosova paraqitet me një nivel të qëndrueshëm mbështetjeje për integrimin evropian, por me pritshmëri më të ulëta për afatin e anëtarësimit krahasuar me Shqipërinë.








