Katër persona humbën jetën dhe të paktën 22 të tjerë u plagosën kur dy trena që mbanin me qindra pasagjerë, u përplasën në Indonezi të premten – thanë zyrtarët.
Vagonët e parë të të dy trenave u përplasën egërsisht duke u shkatërruar, ndërsa të tjerët pas tyre dolën nga shinat dhe u përmbysën në një pjesë të hekurudhës që përshkonte fushat me oriz në provincën e javës perëndimore.
Nuk janë raportuar viktima mes afro 500 pasagjerëve në bordin e trenave dhe katër të vdekurit e raportuar janë pjesë e personelit.
Aksidenti mes një treni ndërqytetës me 287 pasagjerë, dhe një linje lokale me 191 pasagjerë, ndodhi në orën 6 të mëngjesit, afër Cicalengka-s – tha operatori i hekurudhave.
Kompania shprehu keqardhjen për aksidentin dhe ngushëlloi familjet e viktimave, që sipas saj, ishin makinisti, ndihmësi, një asistent udhëtimi dhe një rojë sigurie.
Numri i të lënduarve ndërkohë ka ndryshuar disa herë në raportime. Policia tha se ishin 37 të lënduarit ndërsa kompania hekurudhore raportoi për 22 të lënduar.
Një zëdhënës i policisë tha se të gjithë pasagjerët ishin evakuuar dhe të lënduarit ishin transportuar në spitalin lokal. Por ai shtoi se një ekip kërkimi po punonte ende për të nxjerrë trupin e një prej viktimave.
Shkaku i aksidentit nuk është bërë ende i njohur ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet.
Aksidente të tilla nuk janë të pazakonta në Indonezi, një arqipelag shumë i shpërndarë ku autobusët, trenat e madje edhe avionët janë shpesh të vjetër dhe jo të mirëmbajtur.