Papa Benedikti i XVI, u varros në Vatikan, në një ceremoni kishtare. Ai u nda nga jeta më 31 dhjetor, në moshën 95 vjecare. Mijëra persona u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit për varrimin Papës Emeritus Benedikti XVI, teologut gjerman, i cili bëri histori duke u tërhequr nga drejtimi i Kishës Katolike. Ceremoninë e varrimit e udhëhoqi Papa Françesku. Gjatë ceremonisë, Papa Françesku, përmendi fjalët e fundit të Krishtit: “At, në duart tuaja ta dorëzoj shpirtin tim”. Ai tha se besimtarët urojnë të njëjtën gjë për Benediktin. Pas ceremonisë në sheshin e Shën Pjetrit, u mbajt një meshë private në bazilikën e Vatikanit. Sipas autoriteteve, ceremoninë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan e kanë ndjekur deri në 100.000 persona. Në këtë ngjarje morën pjesë krerë të shteteve dhe përfaqësues të mbretërive, pavarësisht se Benedikti kishte kërkuar që varrimi i tij të mos ishte një ngjarje e madhe. Vetëm Italia dhe Gjermania ishin ftuar që të dërgojnë delegacione zyrtare dhe presidenti gjerman, Frank-Ëalter Steinmeier dhe ai italian, Sergio Mattarella, ishin të pranishëm. Përveç tyre, në ceremoninë e varrimit u ftuan edhe krerët e disa qeverive, katër kryeministra dhe dy delegacione të familjeve mbretërore. Sipas ritit të varrimit, arkivoli i Benediktit u dërgua nga bazilika dhe u vendos para altarit, ndërsa besimtarët thanë lutjet e tyre. Ky ritual është i bazuar në kodin që është përdorur edhe për papët e tjerë që kanë vdekur, por në këtë rast janë bërë disa modifikime, pasi Benedikti nuk ishte papë në detyrë kur vdiq. Ish-kreu i Kishës Katolike, emri i vërtetë i së cilit ishte Joseph Ratzinger, konsiderohej si një prej teologëve më të mirë të shekullit XX dhe e kaloi jetën e tij duke iu përmbajtur doktrinës së Kishës. Benedikti do të mbahet mend në histori për një akt të veçantë e revolucionar që ndryshoi të ardhmen e papatit: Ai dha dorëheqjen, duke u bërë papa i parë në gjashtë shekuj që u tërhoq nga drejtimi i Kishës Katolike.