BE DËRGON SINJAL TË FORTË: MALI I ZI GJITHNJË E MË PRANË ANËTARËSIMIT, KOMUNAT NË QENDËR TË REFORMAVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Në mbledhjen e 23-të të Komitetit të Rajoneve BE–Mali i Zi, e cila u mbajt në Zhablak, u theksua se forcimi i kapaciteteve administrative të vetëqeverisjes lokale mbetet një nga sfidat kryesore, pasi 70% e legjislacionit evropian zbatohet pikërisht në nivel lokal.

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, theksoi se Mali i Zi është lider në procesin e integrimit evropian dhe paralajmëroi se gjatë këtij muaji pritet mbyllja e pesë kapitujve të tjerë negociues.

Ajo theksoi se përfshirja e plotë e komunave, shoqërisë civile dhe të gjithë aktorëve është thelbësore për përmbushjen e detyrimeve deri në fund të vitit 2026.

Përfaqësuesi i BE-së në Podgoricë, Bernard Brunet, theksoi se reformat më të rëndësishme sapo kanë filluar dhe se bashkëpunimi ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal është vendimtar, pasi investimet kryesore për përmbushjen e standardeve evropiane, nga pastrimi i ujërave të zeza te infrastruktura dhe mjedisi, realizohen në komuna.

Ai paralajmëroi se mungesa e përkushtimit ndaj këtyre investimeve mund të sjellë probleme pas anëtarësimit. Brunet shtoi se nevojat investuese të pushteteve lokale janë më të mëdha se kapacitetet e tyre financiare, ndaj BE-ja po punon për sigurimin e fondeve shtesë.

Ai theksoi se përgatitjet për mbylljen e pesë kapitujve në konferencën e ardhshme ndërqeveritare dërgojnë sinjal të qartë se Mali i Zi po i afrohet ndjeshëm BE-së.

Në fund, ai nënvizoi se pas anëtarësimit do të kërkohet koordinim edhe më i fortë për hartimin e planeve zhvillimore kombëtare dhe rajonale, dhe se ky proces duhet të nisë që tani, me BE-në që mbetet partner i palëkundur i Malit të Zi në të gjitha fazat e integrimit.

SHARE