OSMANI NË BRUKSEL: SULMI NË IBËR-LEPENC DO TA LINTE KOSOVËN PA UJË

Foto: Kabineti i Presidentes së Kosovës

E ndodhur në Bruksel për samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Vjosa Osmani u prit në takim nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, me të cilin siç thuhet në njoftimin e presidencës së Kosovës, kryetarja e shtetit diskutoi zhvillimet në fushën e sigurisë, përfshirë sulmin e fundit terrorist në infrastrukturën jetike të vendit.

Osmani deklaroi se ky sulm kishte për qëllim që të linte një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës pa ujë, pa energji elektrike, pa ngrohje dhe me pengesa në sistemin e telekomunikimit.

Deklarata sqaron se ajo i paraqiti Antonio Costas dëshmitë për lidhjet e Serbisë me këtë sulm, si dhe me sulmin e shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë, ku humbi jetën një efektiv i policisë së Kosovës.

Osmani vazhdoi t`i mëshonte idesë se sulmi i organizuar nga ish numri dy i Listës serbe Milan Radoici, u krye me urdhër të Beogradit zyrtar për të shkaktuar trazira.

Fakti që Radoicic është ende i lirë sipas saj, tregon qartë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës.

“Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e plotë të Kosovës për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar për hetimin e aktit terrorist kundër infrastrukturës vitale në Kosovë, teksa e ka falënderuar BE-në, SHBA-të si dhe shtetet e tjera të NATO-s, dhe përtej për solidaritetin e treguar dhe ndihmën e ofruar. Ajo nënvizoi se është shumë me rëndësi, që përveç hetimit, puna jonë e përbashkët të fokusohet edhe në parandalimin e sulmeve të reja”, theksohet në deklaratë.

SHARE