Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, mori pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s të mbajtur në Bruksel më 3 dhe 4 dhjetor.
Në fokus të bisedës ishte situata komplekse gjeopolitike dhe sfidat aktuale, me fokus agresionin rus kundër Ukrainës dhe duke iu referuar rezultateve të arritura pas samitit të Uashingtonit.
Ministrat diskutuan gjithashtu rëndësinë e fqinjësisë jugore dhe bashkëpunimin me partnerët në Lindjen e Mesme, si dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për sigurinë euroatlantike.
Në këtë drejtim, Ibrahimoviq tha se “në takim u konfirmua se NATO do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe se rajoni mbetet lart në agjendën e NATO-s”.
Në takimin dyditor u miratuan një sërë masash për të luftuar aktivitetet armiqësore dhe kibernetike, duke përfshirë mbrojtjen më të mirë të infrastrukturës kritike dhe përmirësimin e mbrojtjes kibernetike, dhe u theksua se Aleanca do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Bashkimin Evropian në këtë drejtim.
Në Bruksel, ministrat e NATO-s u takuan me ministrin e Jashtëm të Ukrainës Andriy Sibih dhe përfaqësuesen e Lartë të BE-së Kaja Kallas, në kuadër të Këshillit NATO-Ukrainë. Mbështetja e fortë për Ukrainën u konfirmua, përmes mekanizmave ekzistues të NATO-s, si dhe marrëveshjeve dypalëshe.